

PARIS, 23 qershor 2026 – Franca ka regjistruar natën më të nxehtë që nga fillimi i matjeve meteorologjike në vitin 1947, ndërsa vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë vendin prej më shumë se një jave ka shkaktuar të paktën 40 viktima.
Kryeministri francez, Sebastien Lecornu, deklaroi se numri i viktimave nga 18 qershori e deri më tani ka arritur në 40 persona, shumica prej tyre të rinj, duke e cilësuar situatën si një “tragjedi të madhe”.
“Shifra e fundit që na është raportuar është 40 të vdekur që nga 18 qershori. Këto janë viktimat e para të krizës me të cilën po përballemi”, tha ai gjatë një mbledhjeje emergjente të qeverisë.
Sipas agjencisë meteorologjike franceze Météo-France, temperatura mesatare gjatë natës së 22-23 qershorit arriti në 21.6 gradë Celsius në nivel kombëtar, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 21.4 gradësh të regjistruar në vitin 2019.
Vala e të nxehtit ka shkaktuar probleme të shumta në jetën e përditshme. Autoritetet kanë mbyllur dhjetëra shkolla, kanë anuluar linja hekurudhore dhe kanë vendosur masa shtesë për mbrojtjen e popullsisë nga temperaturat ekstreme.
Në shumë zona të vendit, qytetarët po kërkojnë mënyra për t’u freskuar duke u hedhur në lumenj dhe kanale. Megjithatë, ministrja franceze e Sportit, Marina Ferrari, u bëri thirrje qytetarëve të shmangin notin në zona të paautorizuara ose të rrezikshme.
Ekspertët e motit shpjegojnë se fenomeni është shkaktuar nga i ashtuquajturi “Omega Block”, një konfigurim atmosferik që bllokon masat ajrore dhe favorizon grumbullimin e ajrit shumë të nxehtë mbi Evropën Perëndimore, duke bërë që temperaturat të rriten dita-ditës.
Ndërkohë, temperaturat ekstreme po prekin edhe pjesë të tjera të kontinentit. Në Itali, autoritetet kanë shpallur nivelin maksimal të alarmit për 15 qytete, ndërsa në Mbretëria e Bashkuar meteorologët parashikojnë temperatura deri në 37 gradë Celsius në jug të Anglisë, duke rrezikuar vendosjen e një rekordi të ri për muajin qershor.
Temperatura të larta po regjistrohen gjithashtu në disa vende të Ballkanit dhe rajone të tjera të Evropës. Shkencëtarët paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






