

TIRANË, 23 qershor 2026 – Një operacion i Policisë së Shtetit për kapjen e të shumëkërkuarit Ylli Zalla në fshatin Zallë të Krujës ka përfunduar pa sukses, pasi 49-vjeçari ka mundur t’i shmanget sërish arrestimit duke u larguar drejt zonës pyjore.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u organizua mbi bazën e informacioneve operative për vendndodhjen e Zallës dhe u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Komisariati i Policisë Krujë dhe Forcat Speciale “RENEA”.
Policia bën me dije se gjatë ndërhyrjes është arrestuar Fatmir Alla, 55 vjeç, banues në fshatin Zallë, i dyshuar për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Hetimet paraprake tregojnë se ai ka njoftuar Ylli Zallën për praninë e forcave të policisë dhe e ka ndihmuar të largohet nga banesa përpara se të arrestohej.
Gjatë kontrollit në banesën e të shumëkërkuarit, shërbimet e policisë sekuestruan një armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, një telefon celular që dyshohet se i përket Zallës, si dhe municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Në banesë u gjet gjithashtu edhe vëllai i 49-vjeçarit, E. Z., 35 vjeç, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë. Sipas autoriteteve, ai dyshohet si bashkëpunëtor në një ngjarje të ndodhur më 10 qershor 2026, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në një ambient të hapur. Për këtë çështje, ai do të hetohet në gjendje të lirë.
Policia njofton se kërkimet për kapjen e Ylli Zallës vijojnë intensivisht, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






