Transmetuar më 23-06-2026, 13:33

Zbardhen të tjera detaje rrëqethëse rreth ngjarjes së rëndë të regjistruar në fshatin Karkavec, në Njësinë Administrative Qukës të bashkisë së Prrenjasit. Autori 69-vjeçar, i cili u arrestua nga policia, dyshohet se ka tentuar të djegë të gjallë me benzinë bashkëshorten e tij, shtetasen Minushe Danga, 67 vjeçe.

Nga informacionet e fundit, mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës në banesën e çiftit të moshuar, të cilët jetonin vetëm, pasi djali i tyre ndodhet si emigrant në Greqi.

Dinamika e ngjarjes dhe motivi

Burime paraprake bëjnë me dije se konflikti i ashpër ka nisur për motive xhelozie. Autori, i cili ndodhej në gjendje të dehur, fillimisht ka ushtruar dhunë të ashpër psikologjike dhe fizike ndaj 67-vjeçares. Më pas, ai i ka marrë me forcë telefonin celular dhe, në kulmin e sherrit, e ka lyer me benzinë duke i vënë flakën.

Hetimet e policisë kanë zbuluar se kjo nuk ishte hera e parë që në këtë familje ushtrohej dhunë. Konfliktet dhe dhuna fizike kishin qenë të vazhdueshme prej kohësh, madje viktima kishte qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje përgjatë tre muajve të fundit. Policia ndërhyri në kohë dhe vuri në pranga 69-vjeçarin pas denoncimit të bërë nga fqinjët e tmerruar të çiftit.

Gjendja shëndetësore e viktimës

Menjëherë pas ngjarjes, e moshuara është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Elbasanit. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore, për shkak të plagëve të marra, ajo u dërgua mbrëmjen e djeshme drejt QSUT-së në Tiranë, e shtruar në repartin e djegie-plastikës. Burimet spitalore konfirmojnë paraprakisht se, pavarësisht dëmtimeve të rënda, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po vijon punën në terren për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për caktimin e veprave specifike penale që do të rëndojnë mbi 69-vjeçarin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit