

Një debat i hapur ka shpërthyer brenda radhëve të Partisë Socialiste, duke përfshirë ish-ministren e Jashtme dhe deputeten Elisa Spiropali dhe kryetaren e PS-së në Shkodër, Mirela Dodaj. Shkak është bërë një deklaratë e Spiropalit dy ditë më parë, e cila bëri thirrje për një proces vetëpastrimi brenda strukturave të mazhorancës, “pa smërçe, pa ndryshqe, pa pehlivanllëqe”.
Kjo deklaratë ka sjellë reagimin e menjëhershëm dhe të ashpër të kreut të socialistëve të Shkodrës, Mirela Dodaj, e cila iu kthye drejtpërdrejt deputetes: “Nëse vërtet duhet të nisë një proces vetëpastrimi në Partinë Socialiste, atëherë do të ishte e ndershme të fillonte nga ju, Elisa Spiropali”.
Përgjigjja e Spiropalit: Letërsi kundër "fletë-rrufeve" digjitale
Ditën e sotme, Elisa Spiropali ka zgjedhur të reagojë publikisht, duke shmangur replikat e drejtpërdrejta politike dhe duke përdorur vargjet e poetes së njohur ruse, Anna Akhmatova (e lindur më 23 qershor 1889).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali ka ironizuar sulmet ndaj saj duke i cilësuar si konspiracione dhe gjuhë të shthurur, ndërsa ka përcjellë mesazhin se kritikat nuk e frikësojnë, por përkundrazi, shërbejnë si burim force.
"Kur t’ju merren mend’ e t’ju përzihet nga fletë-rrufetë, sulmet banale, monitorimi digjital e operacional, kontrolli algoritmik, konspiracionet halucinante, gjuha e shthurur, lexoni këtë kryevepër të Anna Ahmatovës," shkruan Spiropali.
Pjesë nga poezia e shpërndarë prej saj:
“Kaq shumë gurë hodhën përmbi mua / Sa sot asnjë prej tyre s’më frigon, / Me ta një kullë e hijshme u ndërtua, / M’e lartë se çdo kullë ajo qëndron. / Ndërtuesit e saj falënderoj, / Paçka se e ndërtuan me nxitim…”
Kjo përplasje publike vjen në një moment dinamik dhe me tensione të shtuara politike brenda dhe jashtë kampit socialist, ku debatet e ditëve të fundit po shtrihen nga reformat e brendshme partiake e deri te reagimet ndaj zhvillimeve dhe protestave të fundit në vend.
Postimi i Spiropalit:
Mirëmëngjes☀️ Kur t’ju merren mënd’ e t’ju përzihet nga fletë-rrufetë, sulmet banale, monitorimi digjital e operacional, kontrolli algoritmik, konspiracionet halucinante, gjuha e shthurur, lexoni këtë kryevepër të Anna Ahmatovës, që lindi si sot, më 1889. Kaq shumë gurë hodhën përmbi mua Sa sot asnjë prej tyre s’më frigon, Me ta një kullë e hijshme u ndërtua, M’e lartë se çdo kullë ajo qëndron. Ndërtuesit e saj falënderoj, Paçka se e ndërtuan me nxitim. Prej saj më shpejt agimin e shijoj Dhe diellin kqyr me gjatë në perëndim. Dhe në dritaren time ditë për ditë, Fryn erë deti, më flladit. Në dorën time pëllumbi vjen e çukit, E në mos mund të shkruaj më diçka, Një ditë të perëndishme krahëlehtë, Pres të vijë Muza, për ta shkruar vetë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






