Transmetuar më 23-06-2026, 10:47

Një replikë në distancë ka ndodhur mes kryeministrit Edi Rama dhe një prej pjesëmarrësve në protestat e fundit, Erlis Sina. Pasi kreu i qeverisë i drejtoi Sinës një letër të gjatë publike në rrjetet sociale — ku përdori edhe foton e tij duke bërë thirrje për bashkëpunim në zgjidhjen e problemeve — ka ardhur reagimi i prerë i protestuesit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Sina ka refuzuar çdo paralelizëm që kryeministri u përpoq të ndërtonte mes vetes dhe qytetarëve në shesh, duke e cilësuar Ramën jo si viktimë, por si autor të drejtpërdrejtë të problemeve ekonomike dhe sociale në vend.

Sina ka listuar një sërë akuzash të rënda ndaj kreut të ekzekutivit, duke u shprehur:

Përgjegjësia e pushtetit: Ai ka theksuar se ndryshe nga Rama, nuk ka pushtet prej vitesh në dorë dhe as nuk firmos vendime që kontrollojnë institucionet, buxhetet apo fatet e njerëzve.

Arsyet e largimit: Protestuesi e ka bërë kryeministrin përgjegjës për emigrimin masiv të të rinjve, padrejtësitë sociale dhe arrogancën qeverisëse.

"Humnerat" e qeverisjes: Sipas tij, nuk ka rrezik më të madh për Shqipërinë sesa vjedhja e votës, grabitja e pronës dhe shkatërrimi i dinjitetit të qytetarëve.

"Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi apo opozita. Ata dalin sepse paguajnë faturat, kërkojnë punë, presin nëpër spitale dhe shohin fëmijët t’u largohen nga vendi."

Në mbyllje të reagimit të tij, Erlis Sina i ka kërkuar kryeministrit të mos e përdorë imazhin e tij për të fshehur dështimet apo për të ndërtuar profilin e një "shpëtimtari", duke shtuar se prania e tij në shesh është vetëm rezultat i vetëdijes se kush e ka sjellë vendin në këtë gjendje.

Reagimi i Erlis Sinës:

Pergjigje e detyruar per Edi Ramen!

UNË NUK JAM TI!

Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde.

Unë nuk jam ti.

Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë. Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve. Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi.

Ti je.

Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt.

Ti nuk je viktima e halleve të mia. Ti je autori i tyre.

Je autori i emigrimit të mijëra të rinjve që nuk panë më të ardhme në Shqipëri. Je autori i padrejtësive që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre. Je autori i arrogancës së një pushteti që nuk dëgjon më askënd përveç vetes.

Kur thua se ke frikë nga ata që mund t’i bëjnë keq Shqipërisë, harro një gjë:

Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e votës.

Nuk ka humnerë më të thellë se grabitja e pronës.

Nuk ka humnerë më të thellë se shkatërrimi i dinjitetit.

Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e së ardhmes së një brezi të tërë.

Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi. Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat. Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita.

Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë.

Sepse paguajnë faturat. Sepse kërkojnë punë. Sepse presin në spitale. Sepse shohin fëmijët të largohen. Sepse ndihen të huaj në vendin e tyre.

Dhe kur ti përpiqesh t’i paraqesësh si turmë të përdorur, nuk po i kupton. Po i përçmon.

Fotografia ime në murin tënd më bën pis.

Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua.

Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua.

Mos e përdor për të ndërtuar historinë tënde si shpëtimtar.

Unë nuk jam ti.

Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush.

Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit