Transmetuar më 23-06-2026, 10:26

Me rritjen e temperaturave gjatë sezonit veror, Shqipëria po përballet me një prani gjithnjë e më të lartë të insekteve, ku krahas milingonave dhe mizave të dheut, shqetësimi kryesor mbeten çimkat (tartabiqet). Sipas specialistit të dezinfektimeve, Endrit Haxhiraj, ky fenomen, i cili më parë ka prekur masivisht vende evropiane si Franca, po shfaqet shpesh edhe në vendin tonë si pasojë e zhvillimit të turizmit dhe lëvizjes masive të udhëtarëve.

Çimkat janë insekte të vogla gjakpirëse, me përmasat e një kokrre thjerrëze, të cilat ushqehen ekskluzivisht me gjakun e njeriut. Ndryshe nga pleshtat, ato nuk kërcejnë dhe veprojnë kryesisht natën teksa njeriu është në gjumë, duke lënë pas pickime të njëpasnjëshme në të njëjtën zonë, që shpesh ngatërrohen me ato të mushkonjave.

Vendi kryesor ku ato strehohen është krevati – specifikisht në dyshekë, çarçafë dhe te zgara e krevatit – por për shkak të aftësisë së tyre për t’u fshehur në vende të ngrohta e të errëta, ekspertët treguan se ato mund të gjenden edhe brenda prizave elektrike, në kornizat e dritareve, si dhe në dollapë apo komodina.

Për të parandaluar transportimin e tyre pa vetëdije nëpër shtëpi, specialistët apelojnë që identifikimi i hershëm është hapi më i rëndësishëm. Qytetarët këshillohen që përpara se të akomodohen në hotele apo struktura të tjera akomoduese gjatë pushimeve, të kryejnë një kontroll të imtësishëm të dyshekut dhe zonave përreth shtratit. Ndonëse Shqipëria historikisht ka pasur një nivel të lartë pastërtie ndaj këtij fenomeni, shtimi i fluksit të turistëve e ka bërë vendin pjesë të kësaj problematike globale, duke kërkuar më shumë ndërgjegjësim dhe kujdes higjienik.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit