Transmetuar më 23-06-2026, 08:31

Maturantët në të gjithë vendin u rikthehen sot bankave të shkollës për t’u nënshtruar provimit të lëndës me zgjedhje, duke përmbyllur kështu ciklin e testimeve të Maturës Shtetërore 2026. Rezultatet e këtij vlerësimi të fundit do të jenë vendimtare për procesin e aplikimit dhe pranimit në institucionet e arsimit të lartë për vitin e ri akademik.

Ky sezon testimesh nisi më 2 qershor me provimin e Gjuhës së Huaj, vijoi më 9 qershor me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, ndërsa më 16 qershor nxënësit sfiduan veten në lëndën e Matematikës. Procesi i Maturës Shtetërore 2026 po menaxhohet në 144 qendra provimesh në rang kombëtar, ku janë angazhuar mbi 2,000 mësues administratorë dhe 170 monitorues të deleguar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Në prag të këtij testi përmbyllës, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka bërë thirrje kandidatëve për respektim rigoroz të rregullores, duke rikujtuar se mbajtja e telefonave celularë apo e çdo pajisjeje tjetër inteligjente në sallat e testimit është rreptësisht e ndaluar.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ministrja Kumbaro bëri me dije se gjatë tri provimeve të para janë përjashtuar 29 maturantë për shkak të shkeljes së rregullave. Ajo shprehu keqardhjen për penalizimin e këtyre nxënësve, të cilët kanë humbur të drejtën për të vijuar garën universitare për këtë vit, ndërsa nënvizoi se zbatimi i kritereve të vendosura mbetet i panegociueshëm për të garantuar meritokracinë dhe qetësinë në proces.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit