Transmetuar më 23-06-2026, 08:02

Monedha europiane ka shënuar një tjetër rekord minimal historik në tregun vendas të këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 94.3 lekë, duke dëshmuar një zhvlerësim prej 2.6% që nga fillimi i vitit dhe 3.8% me bazë vjetore.

Aktorët e tregut bëjnë të ditur se rënia po nxitet nga oferta tejet e lartë e valutës, e ndikuar nga nisja e sezonit turistik dhe flukset e mëdha të vizitorëve nga vendet fqinje, veçanërisht nga Kosova gjatë fundjavave. Ndikim të fortë po jep edhe sektori i pasurive të paluajtshme, ku stoku i investimeve të huaja arriti në 2.63 miliardë euro në fund të vitit 2025. Ky sektor, sipas perceptimit të tregut dhe hetimeve të fundit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), dyshohet se tërheq edhe sasi të mëdha valute nga aktivitete informale apo kriminale.

Nga ana tjetër, forcimi i Lekut po ndihmohet edhe nga politika e rreptë fiskale e qeverisë. Në fund të muajit maj, suficiti buxhetor arriti vlerën rekord të 53.7 miliardë lekëve (rreth 565 milionë euro), duke u rritur me 37% krahasuar me një vit më parë dhe duke pakësuar ndjeshëm monedhën vendase në qarkullim.

Në këto kushte, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë po shfaqen më të zbehta. Edhe pse Banka Qendrore ka blerë mbi dy miliardë euro që nga viti 2024 për të ngadalësuar rënien, arritja e objektivit të inflacionit në 3% e vendos atë përpara dilemës nëse duhet të vazhdojë injektimin e mëtejshëm të parasë në ekonomi, në një kohë kur pritet një kalim drejt politikave shtrënguese monetare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit