

Rritja e kostos së jetesës dhe inflacioni po ushtrojnë një presion të jashtëzakonshëm mbi buxhetet familjare në Shqipëri. Sipas një raporti të fundit të "Tradingpedia", të përpunuar nga revista "Monitor", Tirana është renditur si kryeqyteti i dytë më i shtrenjtë në Europë sa i përket përballueshmërisë financiare në raport me të ardhurat.
Të dhënat tregojnë se një familje tipike me katër anëtarë (dy të rritur në marrëdhënie pune), ku të ardhurat totale mujore llogariten në 1,520 euro bazuar në një pagë mesatare neto prej 760 eurosh për person, shpenzon rreth 1,353 euro në muaj për të bërë një jetesë normale. Kjo do të thotë se shpenzimet bazë si strehimi, ushqimi, transporti dhe kujdesi personal konsumojnë plot 89% të buxhetit familjar. Në këtë renditje kontinentale, Tirana pozicionohet vetëm pas Lisbonës (Portugali), ndërsa kryeqyteti më i lirë dhe më i përballueshëm rezulton Brukseli, ku shpenzimet zënë vetëm 45% të të ardhurave.
Kosto më e lartë se në rajon, pagat mbeten mbrapa
Shqipëria paraqet një kosto jetese dukshëm më të lartë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në Shkup të Maqedonisë së Veriut, me një pagë mesatare neto të ngjashme (769 euro), shpenzimet e një familjeje zënë vetëm 67% të të ardhurave. Një panoramë e ngjashme është edhe në Beograd, ku ndonëse shpenzimet janë pak më të larta se në Tiranë (1,478 euro), pesha e tyre është më e ulët (68.2%) pasi pagat mesatare janë rreth 30% më të larta (1,081 euro). Ndërkohë, Podgorica dhe Sarajeva rezultojnë qytetet më ekonomike në rajon në raport me të ardhurat.
Kriza e qirave dhe presioni në Europën Jugore
Raporti specifikon se Tirana mban vendin e dytë në Europë edhe sa i përket raportit qiradhënie-pagë, ku kostoja e strehimit në qendër konsumon mbi 93% të një page mesatare lokale. Ky përkeqësim i përballueshmërisë po prek gjerësisht Europën Jugore (përfshirë qytete në Spanjë dhe Itali si Barcelona, Valencia, Milano e Roma), nën ndikimin e kërkesës së lartë turistike dhe ofertës së kufizuar të banesave.
Në polin tjetër, qytetet e Europës Qendrore dhe Veriore mbeten më të përballueshmet. Qyteti gjerman Essen kryeson si tregu më i favorshëm, ku qiraja përfaqëson vetëm 18.9% të pagës. Edhe qytetet zvicerane si Cyrihu apo Berna, pavarësisht çmimeve të larta në vlerë absolute, rezultojnë shumë të përballueshme për shkak të nivelit jashtëzakonisht të lartë të pagave neto, çka vërteton se rritja e të ardhurave mbetet mbrojtja më e fortë ndaj krizës së strehimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






