

Kupa e Botës 2026 po dëshmon një tjetër kapitull të jashtëzakonshëm të rivalitetit mes Lionel Messit dhe Kylian Mbappe. Vetëm disa orë pasi argjentinasi zgjeroi rekordin e tij në 18 gola në Kupat e Botës duke shënuar dopietë në fitoren 2-0 ndaj Austrisë, sulmuesi francez dha përgjigjen e tij të menjëhershme në fushë.
Pasi shënoi dy herë kundër Senegalit, ylli i Real Madridit përsëriti suksesin me një tjetër dopietë në fitoren 3-0 ndaj Irakut. Mbappe zhbllokoi sfidën në minutën e 14-të me një goditje të fuqishme me të majtën, ndërsa në minutën e 54-t u tregua i qetë para porte pas asistit të Ousmane Dembele. Kjo përmbysje rezultati erdhi pas një ndërprerjeje prej më shumë se dy orësh në stadiumin "Lincoln Financial Field" për shkak të stuhive të forta.
Me këta dy gola, Mbappe ka arritur në kuotën e 16 golave në historinë e Kupës së Botës (4 në 2018, 8 në 2022 dhe 4 deri tani në 2026), duke u barazuar me legjendën gjermane Miroslav Klose. Tashmë, para tij ndodhet vetëm Lionel Messi, i cili në moshën 38-vjeçare vazhdon të kryesojë listën e golashënuesve më të mirë të këtij kompeticioni me 18 gola.
Përveç rekordit të golave, Mbappe vendosi një tjetër gur themeli në karrierën e tij duke u bërë lojtari më i ri në historinë e kombëtares franceze që arrin 100 ndeshje, në moshën 27 vjeç e 184 ditë, periudhë në të cilën ka realizuar plot 60 gola për "Blutë".

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






