

Kombëtarja e Francës ka siguruar biletën për në raundin e 32-shes së Kupës së Botës 2026, pas një fitoreje të pastër 3-0 kundër Irakut në Grupin I. Ky sukses erdhi pas një sfide të jashtëzakonshme në Philadelphia, e cila zgjati plot katër orë për shkak të motit të keq.
Ndeshja nisi sipas parashikimit, me "Blutë" që zhbllokuan rezultatin në minutën e 14-të me anë të Kylian Mbappe. Mirëpo, pas përfundimit të pjesës së parë, stuhia e fortë e shiut dhe rrufetë detyruan organizatorët të ndërprisnin takimin për dy orë. Pas pritjes së gjatë dhe frikës për një pezullim të mundshëm, skuadrat u rikthyen në fushë për pjesën e dytë.
Në minutën e 54-t, Ousmane Dembele shërbeu mjaft mirë për Mbappe, i cili nuk gaboi dhe shënoi golin e dytë personal. Më vonë, ishte radha e Michael Olise për të asistuar Dembele, i cili me një goditje të saktë me të djathtën vulosi rezultatin përfundimtar në 3-0.
Kjo sfidë kishte një rëndësi të veçantë për Kylian Mbappe, i cili regjistroi ndeshjen e tij të 100-të me fanelën e Francës, duke e çuar numrin e golave totalë me kombëtaren në 60. Për më tepër, me dy golat e shënuar ndaj Irakut, Mbappe arriti në kuotën e 16 golave në historinë e Kupës së Botës, duke barazuar rekordin e legjendës gjermane Miroslav Klose dhe duke u pozicionuar vetëm dy gola pas Lionel Messit.
Me këtë triumf, Franca kryeson Grupin I me 6 pikë, e ndjekur nga Norvegjia po me 6 pikë, teksa të dyja kombëtaret kanë siguruar kalimin e mëtejshëm përpara ndeshjes direkte mes tyre.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






