Transmetuar më 23-06-2026, 02:16

Shqipëria e Re, protestuesit propozojnë formulën që do t’i largonte përfundimisht Ramën dhe Berishën nga posti i Kryeministrit

Protestuesit e mbledhur në Tiranë kanë bërë publike një paketë kërkesash që, sipas tyre, synon të ndryshojë rrënjësisht sistemin politik në vend. Nën sloganin “Shqipëria e Re”, ata kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë kabinetit qeveritar, si dhe ngritjen e një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor.

Një nga propozimet kryesore lidhet me hartimin e një Kushtetute të re, e cila do t’i nënshtrohej referendumit popullor. Sipas protestuesve, reforma kushtetuese duhet të përfshijë ndryshime në Kodin Zgjedhor, në rregullat për financimin e partive politike dhe organizatave, si dhe vendosjen e një kufiri maksimal prej dy mandatesh për postin e kryeministrit gjatë gjithë jetës politike të një individi.

Sipas tyre, një ndryshim i tillë do të eliminonte mundësinë që të njëjtët figura politike të rikthehen vazhdimisht në krye të qeverisë. Në praktikë, një kufizim i tillë do të përjashtonte nga mundësia për të mbajtur sërish postin e kryeministrit si Edi Ramën, ashtu edhe Sali Berishën, pasi të dy konsiderohen se e kanë tejkaluar kufirin e propozuar prej dy mandatesh.

Protestuesit e paraqesin këtë si një nga shtyllat kryesore të vizionit të tyre për “Shqipërinë e Re”, duke argumentuar se rotacioni i detyrueshëm në drejtimin e qeverisë do të sillte më shumë konkurrencë politike dhe do të hapte rrugën për figura të reja në drejtimin e vendit.

Protestuesit kërkojnë:

1️⃣ Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.

2️⃣ Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, e cila do të jetë jopartiake dhe do të ketë një mandat të qartë 12-mujor.

3️⃣ Hartimin e një Kushtetute të re që garanton barazinë e plotë të shtetasve para ligjit, e cila do të miratohet me referendum popullor.

Kjo reformë kushtetuese parashikon:

– Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

– Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave;

– Kufizimin e mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate (të plota ose të pjesshme) gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4️⃣ Mos’heqja dorë nga kërkesat fillestare ekonomike dhe mjedisore, ku kërkohet urgjentisht:

– Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;

– Anullimi i ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;

– Shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;

– Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

5️⃣ Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet përmes konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar direkt nga sheshi i protestës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit