Transmetuar më 22-06-2026, 22:37

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të kërkesave të grupit organizator të protestës përpara Kryeministrisë, të lexuara nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, duke e lidhur atë me qëndrime pro Iranit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ironizoi protestën dhe deklaroi se, sipas tij, ajo nuk do të sjellë fitues përveç Partisë Socialiste dhe qeverisjes aktuale.

“Si thoshin derrat e kënaqur migjenianë të segmentit ‘intelektual’ të protestës, nuk ka lidhje Irani ëëë… Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim: Dy fitimtarë do dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat fallco të flamingove, Partia Socialiste që do të bëhet më e fortë dhe qeverisja jonë që do të përmirësohet shumë ndjeshëm”, shkroi Rama në Facebook.

Reagimi i tij erdhi menjëherë pas leximit të platformës me pesë kërkesa nga protestuesit, ku përfshihen dorëheqja e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike dhe ndryshime të thella kushtetuese e ligjore.

Ndërkohë, edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar duke e cilësuar Dritan Goxhajn si “zëdhënës të Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri”.

Sipas Ballës, Goxhaj ka mbajtur qëndrime në mbështetje të regjimit iranian dhe ka kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ndërsa ka shtuar se është e papranueshme që një ish-pjesëtar i UÇK-së të mbajë qëndrime të tilla.

“Tani ‘patriotët’ edhe ditëzinjtë ta gëzojnë vulën e turpit! Avash-avash, të gjitha po dalin!”, deklaroi Balla, duke shtuar se “flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme”.

Reagimet vijnë në vijim të publikimit të platformës së protestës, e cila përfshin kërkesën për dorëheqjen e qeverisë, krijimin e një ekzekutivi teknik dhe ndryshime institucionale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit