

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas leximit të kërkesave të protestuesve gjatë tubimit të zhvilluar përpara Kryeministrisë, të paraqitura nga ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla deklaroi se dalja e Goxhajt në emër të protestuesve “zbardh plotësisht skenarin” e protestave, duke e cilësuar atë si “zëdhënës të Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri”.
Sipas tij, Goxhaj ka mbajtur prej kohësh qëndrime publike në mbështetje të regjimit iranian, si dhe ka kritikuar Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Shqipërinë.
“Deklaratën me kërkesa në emër të protestuesve e mbajti ‘zëdhënësi’ i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri”, shkroi Balla, duke shtuar se është e papranueshme që një ish-pjesëtar i UÇK-së të mbrojë, sipas tij, interesa që bien ndesh me aleatët perëndimorë.
Në reagimin e tij, Balla theksoi gjithashtu rolin e Shteteve të Bashkuara në procesin e çlirimit të Kosovës, duke deklaruar se pa mbështetjen amerikane nuk do të ishte e mundur as liria dhe as pavarësia e saj.
Ai e mbylli reagimin me kritika ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë, duke pretenduar se, sipas tij, po qartësohet gjithnjë e më shumë natyra dhe qëllimet e tubimeve.
Reagimi vjen menjëherë pas publikimit të platformës me kërkesat e protestës, ku përfshihen dorëheqja e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike dhe ndryshime të thella kushtetuese e ligjore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






