Transmetuar më 22-06-2026, 22:09

Janë zbardhur detaje të reja nga dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku janë goditur struktura të dyshuara si pjesë e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Bashkimit Europian.

Mes personave të shpallur në kërkim figuron edhe Oklid Aliu, i njohur në Elbasan me nofkën “Kiçi i Elbasanit” ose “Oklid El Ouejdi”, i cili sipas hetimeve dyshohet për përfshirje në trafik droge dhe në veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas dosjes, Aliu dyshohet gjithashtu se së bashku me persona të tjerë ka qenë i përfshirë në organizimin dhe ekzekutimin e vrasjes së Edmond Mëhallës, ngjarje e ndodhur më 30 nëntor 2025, hetim i cili vijon ende nga autoritetet.

SPAK ka lëshuar 10 masa sigurie “arrest me burg” ndaj personave të përfshirë në këtë çështje, duke i akuzuar për “trafik narkotikësh”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale”.

Hetimet tregojnë se rrjeti kriminal dyshohet se kishte shtrirje ndërkombëtare, me dërgesa kokaine nga Ekuadori drejt porteve evropiane dhe më pas shpërndarje në disa shtete të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Francën, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas dosjes, droga magazinohej fillimisht në Belgjikë dhe Holandë, ku më pas shpërndahej nga anëtarë të rrjetit në destinacione të ndryshme europiane. Hetimet përmendin gjithashtu përdorimin e automjeteve të modifikuara për transportin e lëndës narkotike.

Në dokumentet hetimore thuhet se disa prej të dyshuarve kanë pasur rol edhe në porositjen dhe shpërndarjen e ngarkesave, ndërsa aktiviteti i rrjetit dyshohet se ka vijuar prej vitesh.

Ndërkohë, për një prej të hetuarve figuron edhe regjistrimi i një biznesi në Elbasan që nga viti 2018, i fokusuar në import-eksport dhe tregtim automjetesh, si dhe dhënie me qira.

Hetimet e SPAK vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe lokalizimin e personave të shpallur në kërkim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit