Transmetuar më 22-06-2026, 19:46

Ka nisur grumbullimi i protestuesve përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë, në kuadër të protestës së 23-të radhazi kundër qeverisë, ku kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike.

Protestuesit kanë artikuluar kërkesa të forta politike, duke theksuar se largimi i kryeministrit është një kusht i panegociueshëm. Sipas tyre, protesta përfaqëson një lëvizje më të gjerë qytetare, e cila nuk lidhet me një strukturë të vetme organizative.

Në deklarimet e tyre, disa pjesëmarrës kanë ngritur shqetësime mbi situatën ekonomike dhe sociale në vend, duke përmendur rritjen e çmimeve dhe nivelin e ulët të pagave. Gjithashtu, ata kanë akuzuar qeverinë për, siç u shprehën, një “agjendë shpopulluese”.

Një prej protestuesve iu referua edhe rasteve të ndjekjeve penale ndaj ish-zyrtarëve në Spanjë, duke kërkuar që edhe në Shqipëri institucionet e drejtësisë të veprojnë në mënyrë të ngjashme ndaj zyrtarëve të lartë, nëse provohen shkelje ligjore.

“Dorëheqje dhe qeveri teknike. Nëse kjo qeveri nuk reagon, do të ketë përshkallëzim dhe këtë e vendos sovrani, populli”, u shpreh një protestues, duke paralajmëruar intensifikim të mëtejshëm të protestave.

Ndërkohë, një tjetër qytetare theksoi se protesta nuk ka një organizator të vetëm, por përfaqëson një lëvizje të gjerë qytetare, e cila, sipas saj, kërkon largimin e kryeministrit për shkak të asaj që e cilëson “sistem autokratik”.

Ajo nënvizoi se kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe se pjesëmarrësit nuk do të tërhiqen deri në realizimin e saj.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit