Transmetuar më 22-06-2026, 18:59

Lëvizja Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar çdo përfshirje si subjekt politik në protestat që po zhvillohen në Shqipëri prej disa javësh, duke theksuar se mbështetja ndaj tyre është individuale dhe jo institucionale.

Deklarata është bërë nga anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Enver Dugolli, i cili sqaroi se disa aktivistë dhe përfaqësues të saj shprehin solidaritet personal me protestuesit, por pa ndonjë rol zyrtar të organizatës.

“Vetëvendosje nuk ka të bëjë asgjë me këtë protestë… thjesht disa aktivistë solidarizohen me kërkesat e qytetarëve,” u shpreh Dugolli, duke theksuar se qëndrimet janë individuale dhe jo të partisë.

Ai gjithashtu i bëri thirrje kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që të mos përfshijë Vetëvendosjen në debatet politike rreth protestave, por të fokusohet në dialog me qytetarët.

Sipas Dugollit, protesta e qytetarëve duhet të merret seriozisht dhe qeveria duhet të reflektojë ndaj kërkesave të tyre, duke shmangur, siç tha ai, përfshirjen e aktorëve të jashtëm në narrativën politike.

Reagimi i Vetëvendosjes vjen pas deklaratave të Ramës, i cili kishte përmendur pjesëmarrjen e disa anëtarëve të saj në protestat në Shqipëri, duke i cilësuar ata pjesë të një “çorbe dreqërish”, por duke bërë dallim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Rama ka kritikuar më herët edhe pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protesta, duke theksuar se ata nuk përbëjnë diasporën shqiptare të Shqipërisë.

Debati mes palëve ka shtuar tensionet politike në një periudhë kur protestat në Shqipëri vijojnë prej ditësh dhe kanë marrë vëmendje edhe në rajon.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit