

Në seancën gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për dosjen “Partizani”, ka dëshmuar Tetis Lubonja, ish-përgjegjëse juridike në grupin e Agjencisë së Kthimit të Pronave që shqyrtoi procedurat për kthimin e kompleksit te ish-pronarët.
Gjatë dëshmisë së saj, Lubonja deklaroi se nuk ka qenë asnjëherë nën presion gjatë trajtimit të dosjeve dhe se nuk ka pasur kontakte personale me ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Veç televizorit nuk kam asnjë kontakt me Sali Berishën”, u shpreh ajo para trupit gjykues.
Dëshmitarja sqaroi gjithashtu se njeh Jamarbër Malltezin për shkak të aktiviteteve të përbashkëta profesionale dhe konferencave mjedisore ku kanë marrë pjesë ndër vite.
“Me Jamarbrin kemi qenë një brez dhe jemi takuar edhe në konferenca mjedisore, ndaj njihemi”, deklaroi Lubonja.
Ajo tregoi se ka punuar për rreth 10 muaj në Agjencinë e Kthimit të Pronave gjatë vitit 2006 dhe më pas për një periudhë të shkurtër në shoqërinë “Kontakt”. Sipas saj, procedurat për kthimin e pronave në rastin e familjeve Begeja, Vaqarri dhe subjekteve të tjera janë zhvilluar në përputhje me ligjin.
Lidhur me çështjen “Partizani”, Lubonja theksoi se procedura ka nisur më 17 janar 2007 dhe se dosjet janë trajtuar sipas praktikave institucionale.
“Detyrat i merrja nga eprorët. Kam zbatuar ligjin dhe kam ndjekur të gjitha procedurat. Dosja qëndronte në dy sektorë, juridik dhe grafik. Këto territore njiheshin si prona të ish-pronarëve dhe ne kemi dhënë vlerësimin ligjor sipas procedurave”, deklaroi ajo.
Tetis Lubonja kishte dëshmuar më herët edhe në SPAK, ku kishte pohuar se dosjet e pronave për pesë familje janë trajtuar me prioritet dhe janë shqyrtuar brenda një periudhe rreth dy mujore nga nisja e procedurës.
Procesi gjyqësor për dosjen “Partizani” vijon në GJKKO, ndërsa pritet dëgjimi i dëshmitarëve të tjerë dhe administrimi i provave nga palët.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






