

Një ndjekje policore është regjistruar mesditën e kësaj të hëne në Durrës, pasi një drejtues automjeti nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe u largua me shpejtësi, duke shkaktuar një sërë dëmesh materiale.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 12:45, në lagjen nr. 14 të Durrësit, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë patrullimit, i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti që po lëvizte me shpejtësi, por drejtuesi i tij ka refuzuar të ndalojë dhe ka vijuar lëvizjen.
Gjatë tentativës për t’u larguar, shtetasi me iniciale R. Xh. ka përplasur pesë automjete të parkuara në anë të rrugës, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Më pas ai ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas incidentit, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe po zhvillojnë kontrolle intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e personit.
Nga verifikimet e para hetimore ka rezultuar se R. Xh. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar më herët për veprën penale “Mashtrimi”.
Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, ndërsa puna për kapjen e të kërkuarit vazhdon.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






