

Një zyrtar i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka rënë në prangat e Policisë së Lezhës, pasi dyshohet se ishte në posedim të një automjeti të vjedhur.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se i arrestuari është Ervin Kodra, përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Mirditës.
Sipas informacioneve paraprake, Kodra është kapur nga efektivët e Policisë teksa po tentonte të nxirrte nga bregu i një lumi një automjet që rezultonte i denoncuar si i vjedhur në Korçë. Gjatë verifikimeve është konstatuar se mjeti qarkullonte me targa të mbivendosura, të cilat gjithashtu rezultonin të vjedhura në Elbasan.
Mësohet se Ervin Kodra ka deklaruar para hetuesve se automjeti i kishte ngecur në lumë, por nuk ka dhënë shpjegime bindëse se si mjeti i vjedhur dhe targat e vjedhura kishin përfunduar në posedimin e tij.
Burime hetimore bëjnë të ditur se pretendimet e tij janë hedhur poshtë nga provat e mbledhura deri tani, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Autoritetet po verifikojnë gjithashtu nëse automjeti në fjalë është përdorur ose jo në ndonjë aktivitet kriminal, ndërsa ndaj të arrestuarit rëndojnë akuzat për veprat penale që lidhen me vjedhjen dhe posedimin e sendeve të vjedhura.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






