

Drejtuesi i mjetit, një 35-vjeçar, po qarkullonte me shpejtësi përgjatë shëtitores në momentin kur turisti po kalonte rrugën me një grup shokësh
Një turist holandez ka mbetur i plagosur mesditën e sotme në Berat, pasi është përplasur nga një motor teksa po kalonte në vijat e bardha. Ngjarja ka ndodhur në "Rrugën e Lumit", përgjatë shëtitores së qytetit muzeal.
Viktima e këtij aksidenti është shtetasi holandez me iniciale V. J., 53 vjeç, i cili po kalonte rrugën së bashku me një grup turistësh të tjerë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, një motor i drejtuar nga 35-vjeçari me iniciale B. M., banues në Berat, po qarkullonte me shpejtësi të lartë në këtë aks në momentin që ka goditur 53-vjeçarin.
I plagosuri është transportuar me urgjencë me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit. Burimet mjekësore bëjnë me dije se pas ndihmës së parë dhe trajtimeve të marra, turisti ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por mbetet nën monitorimin e bluzave të bardha.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Berat, të cilët kanë kryer ekspertizën dhe veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Ndërkaq, drejtuesi i motorit, shtetasi B. M., është shoqëruar në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






