

Biznesmeni akuzon për vjedhje, shkatërrime dhe dëme të mëdha ndaj inventarit specifik, ndërsa hedh dyshime për mbështetje nga individë me petk institucional
Biznesmeni Behgjet Pacolli i ka bërë një thirrje publike dhe urgjente Strukturës Popullore Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) që të nisë menjëherë një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës lidhur me situatën e krijuar në Aeroportin e Vlorës. Përmes një reagimi zyrtar, Pacolli pretendon se kantieri i këtij aeroporti ka qenë i uzurpuar prej dhjetë muajsh nga grupe kriminale, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në infrastrukturë dhe në inventarin e posaçëm.
Sipas Pacollit, pas një bllokade të gjatë të paligjshme të Terminalit të Vlorës, kompania MABCO dhe nënkontraktorët kanë mundur të rikthehen në vendet e punës dhe aktualisht po kryejnë verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e vandalizmit, vjedhjet dhe shkatërrimet e pajisjeve të punës.
Në deklaratën e tij, kreu i AKR-së ngre dyshime të forta se veprimtaria e këtyre grupeve është mbështetur apo toleruar nga individë që fshihen pas institucioneve shtetërore, të cilët sipas tij kanë tentuar të ndikojnë edhe në proceset gjyqësore. Pacolli kërkon që hetimi i SPAK-ut të shtrihet tek i gjithë zinxhiri i personave të përfshirë, pa asnjë dallim apo mbrojtje politike, me qëllim garantimin e sigurisë së investimeve të huaja në Shqipëri.
“Të dashur qytetarë,
Të dashur vlonjatë,
Ju, qytetarë të nderuar, keni të drejtën të informoheni mbi të vërtetën. Fatkeqësisht, ende nuk jeni njohur me gjendjen reale në Aeroportin e Vlorës. Për këtë arsye, i bëj thirrje urgjente SPAK-ut të nisë menjëherë hetime të plota mbi këtë skandal të rëndë, të krijuar dhe ushqyer nga individë që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjin, duke cenuar rëndë shtetin e së drejtës dhe sistemin juridik të Republikës së Shqipërisë. Koha për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë përgjegjësit para drejtësisë është tani.
Pas muajsh të tërë bllokade të paligjshme dhe uzurpimi të Terminalit të Vlorës nga grupe kriminale, sot MABCO dhe nënkontraktorët tanë kanë mundur të rikthehen në vendet e tyre të punës. Në këto momente po kryhet verifikimi dhe evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga vandalizmi, vjedhjet dhe shkatërrimet e ndodhura gjatë kësaj periudhe.
Dëmet e konstatuara përfshijnë si inventarin e çmuar, të projektuar, porositur, prodhuar dhe instaluar posaçërisht për funksionimin e aeroportit, ashtu edhe instrumentet, pajisjet dhe mjetet e punës që përbëjnë pronë private të kompanive nënkontraktuese.
Për më shumë se dhjetë muaj, këto grupe kriminale kanë vepruar në kundërshtim flagrant me ligjin, me metoda të papranueshme dhe çnjerëzore, duke cenuar jo vetëm pronën private, por edhe rendin juridik dhe sigurinë e investimeve. Më shqetësues është fakti se veprimtaria e tyre dyshohet se është mbështetur ose toleruar nga individë që fshihen pas petkut institucional, ndërsa në raste të caktuara kanë tentuar të ndikojnë edhe procese gjyqësore, duke sfiduar hapur sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Sot, në emër të ligjit, të drejtësisë dhe të besimit që qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të kenë tek institucionet e shtetit, i bëj thirrje publike SPAK që të nisë menjëherë një hetim të plotë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës për të gjitha ngjarjet kriminale të ndodhura gjatë kësaj periudhe, pa asnjë dallim dhe pa asnjë mbrojtje për askënd, pavarësisht pozitës, ndikimit apo lidhjeve që mund të ketë.
Është e domosdoshme të identifikohet dhe të vihet përpara përgjegjësisë i gjithë zinxhiri i personave të përfshirë në këto veprime të rënda, të cilat kanë dëmtuar interesin publik, sigurinë juridike dhe imazhin e Shqipërisë si një vend që garanton shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e investimeve.
Po aq e rëndësishme është që institucionet kompetente të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm të situatës dhe për të garantuar sigurinë e punonjësve, të kompanive kontraktuese dhe të çdo qytetari që beson tek puna, ligji dhe vlerat e një shoqërie të qytetëruar.
Ne do të vazhdojmë të mbrojmë me vendosmëri të drejtat tona ligjore, pronën tonë dhe dinjitetin e njerëzve të punës, duke besuar se e vërteta dhe drejtësia do të mbizotërojnë”, shkruan Pacolli.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






