Transmetuar më 22-06-2026, 11:22

Në qendër të takimit dypalësh do të jetë ecuria e reformave eurointegruese, projektet në infrastrukturë, si dhe ecuria e projektit të Liceut Francez në Korçë

Kryeministri Edi Rama zhvillon këtë të hënë një vizitë zyrtare në Paris, ku do të pritet në Pallatin Élysée nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Takimi i parashikuar për në orën 13:00, pason shkëmbimet e mëparshme intensive diplomatike mes dy liderëve dhe vjen në një moment kyç për rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Sipas njoftimit zyrtar të zyrës së shtypit të presidencës franceze, në qendër të diskutimeve do të jetë perspektiva europiane e Shqipërisë dhe reformat e ndërmarra në këtë kuadër. Kreu i shtetit francez pritet të rikonfirmojë mbështetjen e vazhdueshme të Parisit zyrtar për vijimin e procesit të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, duke vlerësuar ecurinë e reformave.

Përveç axhendës politike të integrimit, Rama dhe Macron do të bëjnë një bilanc të bashkëpunimit ekonomik, me fokus të veçantë te projektet strategjike në fushat e arsimit, energjisë, transportit dhe mbrojtjes. Ndër pikat kryesore të diskutimit do të jetë ecuria e projektit për ngritjen e Liceut të ardhshëm Francez në Korçë, si dhe nismat e mbështetura nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) në sektorin e mjedisit dhe turizmit të qëndrueshëm.

Ky takim pason marrëveshjet e rëndësishme të nënshkruara mes dy vendeve gjatë vizitave të mëparshme dypalëshe, ku Franca ka shprehur angazhimin e saj të plotë për të qenë krah Shqipërisë drejt përmbushjes së objektivave të axhendës europiane.

Njoftimi

Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije se Kryeministri Edi Rama zhvillon vizitë zyrtare në Paris me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë sot në Paris vizitë zyrtare me një drekë pune në Pallatin Elysee, me ftesë të Presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron.

Vizita zhvillohet në kuadër të dialogut politik të nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Francës, për forcimin mëtejshëm të partneritetit strategjik mes dy vendeve, dialogun për qasjen e re ndaj procesit të anëtarësimit, për të cilën kryeministri i Shqipërisë ka qenë një ndër zërat më nxitës, si edhe samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara.

Takimi është në vijimësi të takimeve ndërmjet dy liderëve, të cilët janë takuar zyrtarisht në Paris në prill 2024, si dhe në Tiranë në tetor 2023 dhe maj 2025, ndërkohë që janë zhvilluar rregullisht takime në formate të ndryshme multilaterale dhe kontakte telefonike.

Shqipëria vlerëson rolin e Francës dhe angazhimin personal të Presidentit Macron në promovimin e një qasjeje të re ndaj Ballkanit Perëndimor dhe në mbështetjen e perspektivës europiane të rajonit. Në këtë kontekst, vizita në Paris pritet të riafirmojë vullnetin e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit