

Mbrëmjen e djeshme, studioja e “Top Arena” është përfshirë nga emocione të forta me praninë e dy këngëtarëve të njohur, Bubulina dhe Blondi Krasniqi. Dyshi performoi live projektin e tyre muzikor “Të Dua”, një këngë që mban një domethënie të veçantë për publikun, pasi përgjatë rrugëtimit në shtëpinë e “Big Brother VIP 5” u kthye në simbolin e historisë së dashurisë mes Mateo Borrit dhe Brikena Selmanit.
Të dy ish-banorët, të cilët tashmë janë pjesë e panelit të emisionit, mbetën të befasuar nga kjo surprizë. Gjatë performancës, Mateo nuk i fshehu emocionet dhe u pa gjatë gjithë kohës duke qeshur, ndërsa modelja Brikena Selmani zgjodhi të qëndronte disi më serioze.
Megjithatë, situata ka ndryshuar pas përfundimit të intervistave. Ish-finalisti i BBV5 shfrytëzoi rikthimin e dy artistëve në skenë për t’iu afruar Brikenës, duke e ftuar atë në një kërcim. Ndonëse fillimisht e rezervuar, modelja ka pranuar ftesën duke buzëqeshur.
Ky moment ka rindezur menjëherë interesin e ndjekësve, duke qenë se vetëm pak ditë më parë Brikena konfirmoi publikisht ndarjen nga Mateo pa dhënë detaje mbi arsyet. Ky afrim i papritur në studio ka bërë që fansat e dyshes të nisin aludimet nëse ky është hapi i parë drejt një ribashkimi të mundshëm.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






