

Policia e Tiranës ka bërë të ditur se nëntë persona janë vënë nën hetim dhe do të procedohen në gjendje të lirë, pas tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, protestuesit kanë qëndruar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përtej orarit të lejuar të tubimit, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe funksionimin normal të hapësirës publike.
Policia bën me dije se pjesëmarrësit kanë vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard, duke zënë hapësirën publike. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura për lirimin e zonës dhe respektimin e ligjit, ata kanë refuzuar të largohen.
Blutë theksojnë se po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprime të ngjashme gjatë tubimit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






