

Nisja e sezonit veror dhe rritja e temperaturave kanë sjellë një shtim të ndjeshëm të rasteve në shërbimet pediatrike, ku mjekët raportojnë fluks të shtuar fëmijësh që paraqiten për ndihmë mjekësore.
Sipas mjekëve pediatër, në këtë periudhë po shënohet rritje e rasteve me viroza sezonale, infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, si dhe probleme dermatologjike të lidhura me ekspozimin në diell dhe frekuentimin e pishinave.
Mjekja pediatre Anila Sevdari bën të ditur se fluksi i pacientëve në disa ditë arrin deri në 40 raste, me ngarkesë më të madhe gjatë orëve të paradites.
Ajo thekson se simptomat më të shpeshta përfshijnë temperaturë të lartë, bllokim të hundëve, dhimbje fyti dhe çrregullime të sistemit tretës. Sipas saj, në shumicën e rasteve bëhet fjalë për infeksione virale me ecuri 2–3 ditore, ndërsa në disa raste mund të shfaqen edhe infeksione bakteriale.
Më të prekurit janë fëmijët e moshës parashkollore, të cilët gjatë verës qëndrojnë më shumë në ambiente të përbashkëta dhe me frekuentim të lartë, çka lehtëson përhapjen e virozave.
Specialistët u bëjnë thirrje prindërve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke rekomanduar konsum të ushqimeve të freskëta, shmangie të orëve me nxehtësi të lartë dhe evitim të grumbullimeve në ambiente të mbyllura apo të mbipopulluara.
Gjithashtu, mjekët këshillojnë mbrojtjen nga ekspozimi në diell përmes përdorimit të kremrave mbrojtës dhe aplikimit të tyre të përsëritur çdo dy deri në tre orë gjatë qëndrimit në ambiente të hapura.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






