Transmetuar më 21-06-2026, 15:51

Franca është përfshirë nga një valë ekstreme të nxehti, e cila ka detyruar autoritetet të shpallin alarm të kuq në një të tretën e territorit të vendit. Temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë Celsius, ndërsa parashikimet tregojnë për një përkeqësim të mëtejshëm të situatës në ditët në vijim.

Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik, vala e të nxehtit me origjinë afrikane ka përfshirë një pjesë të madhe të Europës, duke vendosur në rrezik miliona banorë. Mbi 26 milionë qytetarë jetojnë aktualisht në zonat e klasifikuara me rrezik maksimal.

Autoritetet franceze kanë ndërmarrë masa të posaçme emergjente, përfshirë ndalimin e aktiviteteve sportive në ambiente të hapura dhe kufizime për konsumimin e alkoolit në hapësira publike. Në disa qytete është vendosur gjithashtu mbyllja e përkohshme e shkollave gjatë orëve të pasdites.

Një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e sistemeve të kondicionimit në një pjesë të konsiderueshme të ndërtesave, çka vështirëson përballimin e temperaturave ekstreme nga popullsia.

Autoritetet i kanë kushtuar vëmendje të veçantë të moshuarve, si grupi më i rrezikuar, duke kujtuar se gjatë valës së të nxehtit në vitin 2003 në Francë humbën jetën rreth 15 mijë persona.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, valët ekstreme të të nxehtit në Evropë kanë shkaktuar rreth 200 mijë viktima gjatë katër viteve të fundit, ndërsa parashikimet sinjalizojnë temperatura mbi mesataren historike gjatë kësaj vere në shumë vende të kontinentit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit