

TIRANË, 21 qershor 2026 – Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestat e fundit, duke mbrojtur motivet e qytetarëve që morën pjesë në to.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bushati hodhi poshtë pretendimet se protestuesit janë të ndikuar nga faktorë të jashtëm apo nga ajo që Rama e quajti “histeria e algoritmit”, duke argumentuar se bëhet fjalë për qytetarë të zhgënjyer nga mënyra e qeverisjes së vendit.
Sipas tij, pjesëmarrësit në protesta janë shqiptarë që reagojnë ndaj problematikave të brendshme dhe që kërkojnë ndryshim, drejtësi dhe më shumë mundësi për të gjithë.
“Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë”, shkroi Bushati.
Ish-ministri shtoi se qytetarët janë të ndërgjegjshëm për pasojat që, sipas tij, vijnë nga lidhjet mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar.
Në reagimin e tij, Bushati theksoi se Shqipëria ka nevojë për më shumë drejtësi, dinjitet, shpresë dhe mundësi, duke e cilësuar këtë si një moment që kërkon reflektim dhe përgjegjësi politike.
“Çdo ditë që kalon e forcon bindjen se Shqipëria e Re nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm që duhet përqafuar”, shprehet ai në postimin e tij.
Deklarata e Bushatit vjen një ditë pasi kryeministri Rama argumentoi se një pjesë e protestave po ushqehen nga narrativa të krijuara dhe të përforcuara nga algoritmet e rrjeteve sociale, duke paralajmëruar se qytetarët mund të bëhen pjesë e interesave që nuk lidhen domosdoshmërisht me kauzat që mbështesin.
Postimi i Ditmir Bushatit:
Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë.
Të vetëdijësuar për pasojat e aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar.
Janë qytetarë që besojnë se Shqipëria meriton më shumë: më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë shpresë dhe më shumë mundësi për të gjithë.
Çdo ditë që kalon e forcon bindjen se Shqipëria e Re nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm që duhet përqafuar.
Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






