

Policia e cilëson kriminel me rrezikshmëri të lartë, por gjykata i ka dhënë vetëm 4 vjet burg 34 vjeçarit Vis Korçari i cili më herët sot gjatë natës u kap në Ksamil, pasi dikush dha sinjale për vendndodhjen e tij dhe një agjent policor u infiltrua për ta shtënë në dorë.
Policia e qarkut Vlorë tha sot se për kapjen e Elvis Koçit (Çaushllari), i njohur dhe si Vis Korçari, u krye një operacion special nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Noa.al raporton se policia kishte siguruar informacione të besueshme dhe me përdorimin e metodave speciale të hetimit, bëri të mundur lokalizimin në qendër të Ksamilit, të të kërkuarit 34 vjeçar.
"Elvis Koçi 34 vjeçar, banues në Elbasan, u kap në një automjet tip "Audi", tha policia e cila shtoi se ai është i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë në qytetin e Elbasanit.
Në momentin e ndërhyrjes, i riu ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.

Elvis Koçi ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila e ka dënuar me 4 vjet burgim për veprat penale "Grup i strukturuar kriminal" dhe "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje", ndërsa atij i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






