Transmetuar më 21-06-2026, 11:05

TIRANË, 21 qershor 2026 – Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka dënuar heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Shtetit të Izraelit gjatë protestës së së shtunës në kryeqytet, duke e cilësuar ngjarjen si një akt urrejtjeje dhe të papranueshëm.

Sipas Ministrisë, një grup personash të maskuar ka hequr flamurin e vendosur pranë ambienteve të Ambasadës së Izraelit në Tiranë, gjatë zhvillimit të protestës.

Në një deklaratë zyrtare për mediat, MEPJ thekson se veprime të tilla nuk përfaqësojnë lirinë e shprehjes apo të drejtën për protestë paqësore dhe janë në kundërshtim me vlerat demokratike dhe standardet evropiane.

“Veprime të tilla janë shfaqje të urrejtjes, intolerancës dhe nxitjes së saj, dhe janë krejtësisht të papajtueshme me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që Shqipëria i ka në themel”, thuhet në reagim.

Ministria nënvizon gjithashtu se akti bie ndesh me traditën shqiptare të harmonisë dhe respektit ndërfetar dhe shoqëror, duke shtuar se veprime të tilla nuk përfaqësojnë shoqërinë shqiptare.

Në deklaratë, MEPJ riafirmon angazhimin për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, duke shprehur njëkohësisht solidaritet me Ambasadën e Izraelit në Tiranë.

“Dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk mund dhe nuk do të kenë vend në një shoqëri demokratike”, përfundon deklarata e Ministrisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit