

TIRANË, 21 qershor 2026 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat për mbrojtjen e zonës së Zvërnecit dhe Nartës, duke deklaruar se qytetarët që marrin pjesë në to me bindje të sinqerta rrezikojnë të përdoren për interesa që, sipas tij, nuk lidhen me mbrojtjen e mjedisit apo interesat e Shqipërisë.
Gjatë episodit më të fundit të podkastit të tij “Flasim”, Rama argumentoi se rrjetet sociale dhe algoritmet ndikojnë në krijimin e perceptimeve të deformuara mbi realitetin, duke nxitur reagime emocionale që shpesh nuk mbështeten në verifikimin e fakteve.
Sipas kreut të qeverisë, shumë protestues besojnë se po mbrojnë natyrën, flamingot dhe pasuritë e përbashkëta të vendit, por në të vërtetë mund të jenë duke mbështetur axhenda të tjera që nuk kanë lidhje me interesin publik.
“Me gjithë respektin për motivin e tyre, nuk duhet të mungojë detyrimi për të verifikuar faktet. Kur emocioni ushqehet nga gjysmë të vërteta dhe slogane që përhapen më shpejt se provat, idealizmi mund të kthehet në instrument në duart e atyre që kanë interesa të tjera”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se qeveria e tij e ka pasur mbrojtjen e natyrës dhe të zonave të mbrojtura si prioritet të vazhdueshëm, duke përmendur masat kundër gjuetisë së paligjshme dhe prerjes së pyjeve.
Në fjalën e tij, Rama kritikoi gjithashtu partitë e vogla politike që, sipas tij, po përpiqen të përfitojnë nga situata për interesa elektorale, duke e cilësuar protestën si pjesë të një “revolucioni imagjinar”.
“Flamingot nuk kanë nevojë për turma të rrëmbyera nga histeria e algoritmit dhe të nxitura nga interesa që nuk janë interesat e Shqipërisë”, deklaroi ai.
Debati mbi zhvillimet e planifikuara në zonën e Nartës dhe Zvërnecit ka sjellë reagime të shumta nga aktivistë mjedisorë, qytetarë dhe përfaqësues politikë, të cilët kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në biodiversitetin dhe ekosistemin e zonës.
Deklarata e Ramës:
"Sa më shumë zemërim, sa më shumë frikë, sa më shumë tronditje, aq më shumë shpërndahet iluzioni se, pak nga pak, duke u shkëputur nga realiteti, njeriu, në realitetin e kuruar nga algoritmi, mund të ndryshojë botën, mund të shembë atë që e pengon të jetë i lumtur. Mund të bëjë një kapërcim të ëndërrt pa gjykuar më mbi faktet, por mbi një version faktesh që i serviret pa pushim, e pa pushim, e pa pushim në ekranin e celularit. Pa ndjekur domosdoshmërisht të vërtetën, por duke u bërë pjesë e një historie të ndërtuar për të, të montuar, të amplifikuar dhe të rrethuar me të tjerë si pjesë e diçkaje që të bën të mendosh se ti po përjeton mishërimin e bindjes tënde të ndarë me shumë të tjerë dhe papritur nuk je më vetëm.
Prandaj edhe sot ka shumë njerëz që dalin në protesta me bindje të sinqerta, siç ka këtu jo shumë larg nga ku po flas, njerëz që mendojnë sinqerisht që duke dalë në protestë po mbrojnë natyrën, po mbrojnë flamingot, po mbrojnë një pasuri që i përket të gjithëve. Gjithçka është fisnike dhe legjitime dhe meriton shumë respekt si qëllim, por po i mbrojnë nga kush? Po i mbrojnë nga unë, po i mbrojnë nga ne? Që natyrën, mbrojtjen e natyrës, zonat e mbrojtura, ndalimin e gjuetisë së paligjshme, ndalimin e prerjes së pyjeve, i kemi pasur lajtmotiv dhe i kemi lajtmotiv të punës sonë.
Dhe prandaj edhe thjesht, thirrja ime është që, me respekt për motivin, nuk duhet përjashtuar detyrimi për të verifikuar faktet. Sepse kur emocioni ushqehet nga gjysmë të vërteta, nga pamje të shkëputura nga konteksti, nga sloganet që qarkullojnë më shpejt se provat, nga një algoritëm që shpërblen gjithmonë atë që trondit, jo atë që shpjegon, atëherë idealizmi, dëshira e sinqertë, nevoja për t’u shprehur në një komunitet, kthehet në instrument, në instrument në duart e atyre që kanë interesa krejt të tjera.
Njeriu mendon se po mbron flamingot, se po mbron Zvërnecin, se po mbron Shqipërinë, ndërkohë që po mbron interesat e dikujt tjetër, për të cilin interesat e Shqipërisë nuk kanë asnjë vlerë. Njeriu mendon se po lufton për diçka shumë fisnike, ndërkohë që është bërë një ushtar në një betejë që faktikisht nuk është më e tija. Ashtu si Fabrice del Dongo, ai hyn në fushën e betejës i tërhequr nga magneti i një ëndrre fisnike dhe dalëngadalë rrezikon të zbulojë shumë vonë se beteja ku u përfshi nuk ishte ajo që kishte besuar dhe mësimi i Fabrice del Dongos nuk është të heqësh dorë nga ëndrrat, nuk është të heqësh dorë nga dëshira fisnike që të jesh një ushtar i natyrës, që të jesh një vullnetar në mbrojtje të biodiversitetit, që të jesh një zë, një aktivist në kërkim të një harmonie sa më perfekte mes natyrës dhe zhvillimit.
Përkundrazi, është të mos lejosh që ëndrra të bëhet më e fortë se e vërteta dhe që, duke u bërë fanatik, të rrëzosh mundësinë e bashkëpunimit me faktet dhe me të tjerë që ti nuk do ta shohësh se mendojnë si ti. Duan të njëjtën gjë që do ti. Flamingot nuk kanë nevojë për turma të rrëmbyera nga histeria e algoritmit dhe të nxitura nga interesa të tjera që nuk janë fare interesat tona, nuk janë fare interesat e Shqipërisë, në një betejë të globalizuar, jo se bota papritur u zgjua e alarmuar për fatin e flamingove,
por se bota spostoi në Nartë një betejë të madhe kundër Presidentit të Amerikës për arsye që nuk kanë të bëjnë fare me Nartën dhe gjithë kjo urrejtje dhe ky mllef, dhe ky zemërim që ka natyrë politike, ideologjike, çfarë të doni, arsye që s’na interesojnë, krijoi kushtet që të hapej edhe një kanal, një revolucion imagjinar për ata që menduan gabimisht se u bë deti kos për lugën e ndryshkur të karrierave të tyre politike apo për partiçkat e tyre të reja, që u bënë shumë shpejt të vjetra, të vogla, që duan të rriten duke hedhur gurë, duke fshehur duart, duke nxjerrë një dorë, duke mbuluar një dorë tjetër.", u shpreh Rama.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






