Transmetuar më 21-06-2026, 10:21

KSAMIL, 21 qershor 2026 – Elvis Koçi, i njohur ndryshe si Elvis Çaushllari ose me nofkën “Vis Korçari”, është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Ksamil pas një operacioni të përbashkët të forcave operacionale të Tiranës dhe Komisariatit të Policisë Sarandë.

Sipas burimeve policore, 34-vjeçari nga Elbasani ishte shpallur në kërkim dhe monitorohej prej kohësh nga strukturat ligjzbatuese. Pas lokalizimit të tij në Ksamil rreth orës 22:30, autoritetet ndërhynë për ndalimin e tij.

Gjatë operacionit, Koçi dyshohet se ka tentuar t’i shmanget arrestimit duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke përplasur dy automjete civile të policisë. Megjithatë, ai është neutralizuar dhe arrestuar pas ndjekjes nga agjentët e sektorit të krimeve në Sarandë.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se, pasi konstatoi praninë e forcave të policisë, ai arriti fillimisht të largohej nga vendi i ngjarjes. Rreth 30 minuta më vonë, u lokalizua pranë një biznesi privat në aksin rrugor Ksamil–Butrint, ku u bë i mundur arrestimi i tij.

Gjatë operacionit u sekuestrua edhe automjeti që ai përdorte, i cili rezulton i regjistruar në emër të vëllait të tij.

Elvis Koçi konsiderohet një emër i njohur për autoritetet, pasi është përmendur më herët në lidhje me përplasjet mes grupeve kriminale në Elbasan dhe ka precedentë penalë. Në vitin 2022 ai u arrestua nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, ndërsa u lirua një vit më pas.

Autoritetet pritet të japin detaje të mëtejshme mbi akuzat dhe veprimet procedurale që do të ndiqen ndaj tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit