

TIRANË, 21 qershor 2026 – Ndonëse ligji ua ngarkon ndërtuesve detyrimin për të siguruar objektet kundër dëmeve që mund të shkaktohen nga defektet në ndërtim, në praktikë kjo kosto shpesh përfundon te blerësit e banesave.
Sigurimi i detyrueshëm i përgjegjësisë së ndërtuesit u bë funksional pas tërmetit të vitit 2019 dhe synon të mbrojë blerësit nga dëmet që mund të vijnë si pasojë e shembjes së pjesshme ose të plotë të ndërtesës, si dhe nga defekte të rënda të lidhura me cilësinë e ndërtimit ose kushtet e tokës.
Megjithatë, sipas dëshmive të qytetarëve dhe ekspertëve të tregut, gjatë nënshkrimit të kontratave të shitblerjes, blerësit shpesh përballen me kërkesën për të paguar edhe primin e këtij sigurimi, përveç çmimit të pronës dhe shpenzimeve të tjera ligjore.
Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushi, ka theksuar se sipas kuadrit ligjor, pagesa e primit të sigurimit është detyrim i ndërtuesit. Ajo shton se noterët janë të detyruar t’ua bëjnë të qartë palëve këtë përgjegjësi, megjithëse në disa raste palët mund të bien dakord që kostoja të mbulohet nga blerësi në kuadër të një marrëveshjeje të lirë mes tyre.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë një qëndrim të qartë mbi këtë praktikë. Si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ashtu edhe Autoriteti i Konkurrencës kanë deklaruar se nuk kanë administruar ankesa zyrtare dhe se çështja nuk hyn drejtpërdrejt në kompetencat e tyre ligjore.
Ekspertët vlerësojnë se situata nxjerr në pah boshllëqet që vazhdojnë të ekzistojnë në mbrojtjen e konsumatorëve në Shqipëri, ku mungon një institucion i centralizuar për trajtimin e ankesave dhe mbikëqyrjen e praktikave tregtare.
Sipas të dhënave të tregut, sigurimi i përgjegjësisë në ndërtim gjeneroi rreth 3.7 milionë euro prime gjatë vitit 2025. Tregu dominohet nga disa kompani të mëdha sigurimi, ndërsa problematikat që lidhen me komisionet e larta dhe konkurrencën e pandershme mbeten shqetësim për operatorët e sektorit.
Ekspertët theksojnë se ky sigurim nuk mbulon dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në rastet kur nuk provohet përgjegjësia e ndërtuesit, por shërben vetëm si garanci për dëmet që lidhen drejtpërdrejt me defektet e ndërtimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






