Transmetuar më 21-06-2026, 07:44

TORONTO, KANADA – 21 qershor 2026 – Gjermania ka siguruar kualifikimin në fazën e 32-shes së Kupës së Botës pas një fitoreje dramatike 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë, në ndeshjen e dytë të Grupit, të zhvilluar në Toronto.

Në një përballje me ritëm të lartë dhe emocione deri në sekondat e fundit, skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsmann arriti të përmbysë rezultatin falë protagonizmit të Deniz Undav, i cili realizoi të dy golat e suksesit gjerman.

Ndeshja nisi më mirë për përfaqësuesen afrikane, që kaloi në avantazh në minutën e 30-të me golin e Franck Kessié. Gjermanët hasën vështirësi për të gjetur hapësira në pjesën e parë, por reaguan pas pushimit.

Pika e kthesës erdhi në minutën e 60-të, kur në fushë u aktivizua Undav. Sulmuesi gjerman vendosi ekuilibrat vetëm tetë minuta pas hyrjes së tij, ndërsa në minutën e katërt shtesë realizoi edhe golin e përmbysjes, duke vulosur fitoren 2-1 për “Mannschaft”.

Me këtë paraqitje, Undav konfirmohet si një nga protagonistët e turneut, duke regjistruar tre gola dhe dy asistime në dy ndeshjet e para të Botërorit.

Falë suksesit të dytë radhazi, Gjermania ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve dhe siguron matematikisht kualifikimin në fazën e 32-shes. Ndërkohë, Bregu i Fildishtë mbetet në garë për avancimin, me shanse të mira për të siguruar një vend në raundin pasardhës në ndeshjen e fundit të grupit ndaj Curaçao.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit