

Kryeministria e rrethuar, protestuesit e gdhijnë në bulevard: “Do të vazhdojmë deri në ndryshim”
Tiranë, 21 Qershor 2026, 04:28/noa.al – Qindra protestues kanë vendosur të kalojnë natën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë, pas një prej tubimeve më të mëdha të zhvilluara në kryeqytet.
Pas marshimit rreth godinës së qeverisë dhe fjalimeve të mbajtura nga organizatorët, disa nga pjesëmarrësit kanë zgjedhur të mos largohen nga sheshi, duke qëndruar gjatë gjithë natës në zonën përreth Kryeministrisë.
Gjatë protestës, organizatorët deklaruan simbolikisht se Kryeministria ishte “e rrethuar” nga qytetarët, ndërsa pjesëmarrësit përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për ndryshime politike në vend.
Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe slogane kundër qeverisë, protestuesit u shprehën se synimi i tyre është të ushtrojnë presion për ndryshim politik dhe për realizimin e kërkesave të bëra publike gjatë protestës.
Një pjesë e pjesëmarrësve deklaruan se do të qëndrojnë në bulevard deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa të tjerë u bënë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen në vijim të protestës.
Protesta vjen në një klimë të tensionuar politike, me organizatorët që kërkojnë largimin e qeverisë aktuale dhe ndryshime të thella në drejtimin e vendit. Ata po synojnë rrëzimin e establishmentit politik.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama fajësoi të shtunën atë që e quajti “proletariati i algoritmit”. Duke komentuar protestën maratonë, ai shmangu referimin te shkaqet që çuan në mobilizimin e qytetarëve pas 31 majit. Protestuesit thonë se reagimi i tyre është pasojë e pakënaqësive të akumuluara ndaj një qeverisjeje që, sipas tyre, ka ushtruar ndikim të fortë si mbi median tradicionale, ashtu edhe mbi hapësirën informative në rrjetet sociale.
Lufta kundër establishmentit politik përfshin dhe Sali Berishën. Qëndrimet kontradiktore të Berishës dhe drejtuesve të tjerë demokratë, si dhe mbështetja e vonuar për protestën, treguan vështirësinë e Partisë Demokratike për t’u pozicionuar ndaj një lëvizjeje qytetare që po sfidon jo vetëm qeverinë, por edhe establishmentin politik në tërësi.
Ditët e para të protestës, PD dhe media pranë tij mbajtën qëndrim kritik dhe nënvlerësues ndaj protestës, qëndrim që ndryshoi gradualisht.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






