

Protesta më e madhe sonte në Tiranë, pjesëmarrje rekord dhe tone më të ashpra në thirrjet kundër qeverisë: "Nëse ata bëjnë të pamundur revolucionin paqësor, do të bëjnë të pashmangshëm revolucionin e dhunshëm”
Tiranë – Dita e 21-të e protestës së njohur nga organizatorët si “Revolucioni i Flamengove” u karakterizua nga një pjesëmarrje shumë e lartë dhe nga një ashpërsim i retorikës së përdorur nga një pjesë e protestuesve kundër qeverisë.
Sipas organizatorëve, protesta mblodhi dhjetëra mijëra qytetarë në qendër të Tiranës. Disa vlerësojnë se të paktën 100 mijë persona mbushën bulevardin që shtrihet nga godina e Kryeministrisë deri në zonën e Sheshit Skënderbej.
Manifestuesit nisën marshimin nga qendra e kryeqytetit, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej: “Edi Rama jep dorëheqjen deri më 21 qershor”. Në të njëjtën pankartë ishte vendosur edhe mesazhi: “Nëse ata bëjnë të pamundur revolucionin paqësor, do të bëjnë të pashmangshëm revolucionin e dhunshëm”.
Ky mesazh që citohet nga ish presidenti amerikan Kenedi, u përmend edhe nga disa prej folësve që morën fjalën gjatë tubimit, kryesisht pjesëmarrës të ardhur nga diaspora.
“Kjo nuk është më thjesht një protestë, por një kryengritje qytetare. Edhe pse jetojmë jashtë vendit dhe kemi ndërtuar jetën tonë atje, nuk duam që fëmijët tanë të detyrohen të kërkojnë të ardhmen e tyre në një gjuhë të huaj”, deklaroi një emigrant me origjinë nga Mirdita gjatë fjalës së tij para protestuesve.
Të inkurajuar nga pjesëmarrja e madhe, organizatorët deklaruan simbolikisht se Kryeministria ishte “e rrethuar” nga qytetarët. Ata njoftuan gjithashtu se një pjesë e protestuesve do të qëndronin gjatë gjithë natës në shesh, për të vijuar presionin ndaj qeverisë.
Rritja e pjesëmarrjes është ndikuar edhe nga ardhja e emigrantëve nga vende të ndryshme të Evropës, të cilët iu bashkuan protestës. Gjatë orëve të pasdites, në disa akse të kryeqytetit u panë automjete me targa të huaja që iu drejtuan qendrës së Tiranës për t’u bashkuar me tubimin.
Një tjetër faktor që sipas protestuesve ka ndikuar në mobilizimin e qytetarëve është edhe qëndrimi i kryeministrit Edi Rama ndaj protestave. Kreu i qeverisë, në deklaratat e fundit publike, ka vijuar të kritikojë pjesëmarrësit në tubime.
Gjatë një fjale para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se një pjesë e protestuesve po marrin pjesë për shkak të ndikimit të rrjeteve sociale dhe nevojës për vëmendje publike.
“Sa herë e keni dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve nga njerëz që kurrë në jetën e tyre as nuk e kanë imagjinuar që të përzihen me politikë e me protesta, por janë bërë pjesë e kësaj vale sepse është trendi. Kanë frikë të mbeten jashtë valës, sepse në ekonominë e vëmendjes heshtja nuk shpërblehet. Shpërblehet pjesëmarrja dhe ai që arrin të tërheqë më shumë vëmendje”, deklaroi kryeministri.
Ndërkohë, protesta vijoi në orët e mbrëmjes me marshime, fjalime dhe thirrje kundër qeverisë, ndërsa një pjesë e pjesëmarrësve po qëndrojnë gjatë natës pranë Kryeministrisë, siç shihni pamjet e pak çasteve më parë që ju sjell noa.al.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






