Transmetuar më 21-06-2026, 00:45

Pamjet me dron tregojnë detin e protestuesve rreth Kryeministrisë, mbi 100 mijë pjesëmarrës

Pamjet e siguruara nga droni tregojnë nga lart përmasat e protestës së zhvilluar në Tiranë, ku mijëra qytetarë u mblodhën përreth godinës së Kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në videot e realizuara nga ajri shihet fluksi i vazhdueshëm i protestuesve që mbushin sheshet dhe rrugët përreth Kryeministrisë, ndërsa dëgjohen thirrje të vazhdueshme kundër qeverisë. Brenda pak minutash, zonat kryesore pranë godinës u mbushën me pjesëmarrës të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga diaspora.

Protestuesit kanë valëvitur flamuj kombëtarë dhe kanë mbajtur pankarta me mesazhe kundër qeverisë, ndërsa janë pozicionuar në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.

Pamjet nga ajri pasqyrojnë shtrirjen e madhe të turmës përgjatë zonës qendrore të Tiranës dhe përreth Kryeministrisë, duke e kthyer protestën në një nga tubimet më të mëdha të zhvilluara në kryeqytet gjatë viteve të fundit.

Sipas organizatorëve, pjesëmarrja ka qenë masive, ndërsa vlerësimet e tyre flasin për mbi 100 mijë qytetarë të pranishëm në protestë. Deri tani nuk ka një shifër zyrtare nga autoritetet për numrin e pjesëmarrësve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit