Transmetuar më 20-06-2026, 23:40

TIRANË – Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, ka deklaruar se qeveria dhe mazhoranca nuk e konsiderojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama apo zgjedhjet e parakohshme si opsion, duke theksuar se fokusi kryesor mbetet procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

E ftuar në emisionin “Review” në Euronews Albania, Mila u shpreh se në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar të PS-së është diskutuar edhe mbi protestat e zhvilluara në Tiranë, të cilat sipas saj janë trajtuar me respekt për të drejtën e shprehjes dhe lirisë së fjalës.

Ajo theksoi se mazhoranca mbetet e përqendruar në procesin e negociatave me BE-në, duke argumentuar se ky është një angazhim i marrë përpara qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Ne nuk e shohim në asnjë moment dorëheqjen apo zgjedhjet e parakohshme si opsion. Jemi në mes të një procesi të rëndësishëm për integrimin në Bashkimin Evropian dhe po punojmë për mbylljen e kapitujve negociues deri në vitin 2027,” u shpreh Mila.

Sipas saj, qeveria ka qenë e hapur për dialog dhe komunikim me qytetarët në lidhje me çështje të ndryshme, përfshirë edhe debatet mbi ndërtimet dhe zhvillimet në zona të caktuara, ndërsa ka theksuar se progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit është i konfirmuar edhe nga institucionet evropiane.

"Ne në fakt ditën e sotme vijmë nga një ditë ku kemi pasur një mbledhje të zgjeruar në fakt, të përmuajshme, siç është bërë tashmë traditë. Çdo muaj ne bëjmë një mbledhje më të zgjeruar sesa ato që zakonisht i bëjmë çdo fillim jave me drejtuesin e grupit tonë, me zotin Taulant Balla. Patjetër që nuk mund të ishte jashtë vëmendjes ditës së sotme edhe protesta. Ndamë gjithçka me njëri-tjetrin, mendime, ide. Ishte një diskutim shumë i hapur ku gjithsecili pati momentin e vet për të thënë të tijën.

Megjithatë, nëse ka diçka për të cilën i gjithë grupi parlamentar është në unison, është fakti se padiskutim respektojmë protestën dhe çmojmë shumë lirinë e fjalës dhe veprimit në të. Por në asnjë moment në fakt nuk e shohim këtë protestë siç shumë herë edhe është diskutuar në media apo është folur në fakt edhe në studio të ndryshme televizive, ku mund të jetë dorëheqja një opsion apo ku mund të jenë zgjedhjet e parakohshme një opsion tjetër.

Ne jemi në mes të një procesi të cilit ia kemi premtuar shqiptarëve të paktën një vit e pak më parë kur morëm edhe 83 mandate. Jemi në mes të një procesi negociatash me Bashkimin Europian. Gjithçka po shkon mirë dhe mbarë në atë aspekt.

Ju vetë e keni parë progresin e Shqipërisë, jo vetëm në fjalë në fakt që mund të themi ne si përfaqësues të Partisë Socialiste të mazhorancës, por faktike ato që vetë Bashkimi Europian thotë. Jemi në gjysmë të rrugës për të mbyllur disa prej kapitujve më të rëndësishëm dhe po vrapojmë drejt targetit që të mund t’i mbyllim ato të gjitha në vitin 2027. Prandaj nuk shohim realisht arsye për të ndalur këtë hap, për të ndalur këtë sfidë që kemi me veten, me historinë e për të cilën në fakt shqiptarët na besuan”, tha ajo ndër të tjera.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit