

“Edi Rama, je i rrethuar, jep dorëheqjen”/ Protestuesit marshojnë rreth Kryeministrisë dhe publikojnë 5 kërkesat
Pas përfundimit të fjalimeve në protestën e zhvilluar në Tiranë, qindra qytetarë kanë nisur një marshim rreth godinës së Kryeministrisë, duke intensifikuar thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Gjatë marshimit, protestuesit deklaruan se godina e Kryeministrisë ishte simbolikisht e rrethuar dhe i kërkuan kreut të qeverisë të japë dorëheqjen.
“Kryeministria është rrethuar. Në këtë moment i themi kryeministrit: je i rrethuar. Jep dorëheqjen”, u shprehën organizatorët dhe pjesëmarrësit gjatë protestës.
Paralelisht me marshimin, protestuesit bënë publike edhe pesë kërkesat kryesore që, sipas tyre, duhet të plotësohen nga qeveria.
Në krye të tyre qëndron dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkohet gjithashtu krijimi i një qeverie teknike.
Një tjetër kërkesë është shfuqizimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtura, të cilin protestuesit e kundërshtojnë për ndikimin që sipas tyre mund të ketë mbi mjedisin dhe pasuritë natyrore.
Po ashtu, ata kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike, si dhe anulimin e plotë të projektit të njohur si “Paketa e Maleve”.
Organizatorët deklaruan se protesta do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa pjesëmarrësit vijuan marshimin dhe thirrjet para godinës së Kryeministrisë.
Situata deri tani paraqitet e qetë dhe nën monitorimin e forcave të policisë, ndërsa protesta po vijon në qendër të kryeqytetit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






