

TIRANË – Deputetja Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalësorja”, është parë këtë të shtunë mes protestuesve në Tiranë, në ditën e 21-të të tubimit qytetar para godinës së Kryeministrisë.
Prania e saj në protestë vjen pak ditë pas largimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ndërsa Koçeku është shfaqur mes qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike që do të çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
E pyetur nga gazetarët mbi arsyet e pjesëmarrjes së saj në protestë dhe zhvillimet e fundit politike, deputetja ka zgjedhur të mos japë një deklaratë të plotë.
“E kam mendjen te protesta. Ta lëmë vëmendjen te protesta. Do të prononcohem në një moment tjetër”, u shpreh shkurt Koçeku.
Ndërkohë, protesta para Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të 21-të dhe këtë fundjavë është karakterizuar nga pjesëmarrje e shtuar e qytetarëve dhe e shqiptarëve të ardhur nga diaspora, të cilët vijojnë të shprehin kërkesat e tyre për ndryshime politike dhe institucionale në vend.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






