Transmetuar më 20-06-2026, 19:21

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste bëri një ofertë të hapur për protestuesit, por edhe për zërat kundër në PS, duke i ftuar ata të sjellin një draft marrëveshje për kërkesën e tyre për një Shqipëri të re.

"Është edhe një thirrje për një marrëveshje të re, për një Shqipëri të re. Dhe kam parë që ka edhe shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan një Shqipëri të re. Fair enough.

Mezi pres që të na e sjellin draftin e Shqipërisë së re të shkruar dhe patjetër jemi gati të bëjmë një marrëveshje të re për një Shqipëri të re.

Por kam frikë se drafti nuk do të vijë kurrë, sepse Shqipëria e re është njësoj si të gjitha siluetat e flamingove", tha Rama.

Megjithatë, më herët në fjalimin e tij të gjatë, ai siguroi se nuk do ta japë dorëheqjen dhe se protestat sipas tij janë zëra kundër SHBA.

Për kryeministrin ajo që po ndodh në Tiranë, është një sulm global i orkestruar ndaj Presidentit Trump dhe dhëndrit të tij Kushner, ndërsa Shqipëria rastësisht është zgjedhur si shesh xhirimesh për klikimet që prodhojnë para.

“Një qeveri s’ka të drejtë të mbyllë veshët, por të dëgjojë. Ata janë dëgjuar. Nuk duhet që një qeveri t’ja hedhë gjithë fajin algoritmit, nuk është ky rasti. Por ka një gjë që një qeveri nuk e bën kurrë nëse është aty me një destinacion. Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqësish nuk i jepet zhurmës. Sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vetë, duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit”, u shpreh Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit