

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me pjesëmarrjen e diasporës në protestën e zhvilluar në Tiranë, duke publikuar në rrjetet sociale dy fotografi dhe duke adresuar kritika ndaj një protestueseje që, sipas tij, ka kryer një ndërtim pa leje brenda zonës së Kalasë së Durrësit.
Në reagimin e tij, Rama publikoi një fotografi të një objekti që e cilësoi si shtesë të paligjshme në zonën historike të qytetit dhe një tjetër fotografi të protestueses, e cila kishte bërë thirrje që diaspora të mbështeste protestën.
Sipas kryeministrit, objekti në fjalë do të përfshihet në procesin e shpronësimeve që lidhen me projektin për rehabilitimin dhe zhvillimin e zonës historike të Durrësit. Ai pretendoi se protestuesja është ndërtuesja e kësaj shtese dhe se ka kundërshtuar vlerën e fondit të shpronësimit të ofruar nga shteti.
Rama akuzoi gjithashtu protestuesen për shkelje të ligjit dhe e lidhi angazhimin e saj publik me interesa personale që, sipas tij, burojnë nga procesi i shpronësimit.
Në reagimin e tij, kryeministri deklaroi se raste të tilla përdoren për të krijuar narrativa në rrjetet sociale, duke i paraqitur individët si mbrojtës të interesit publik, ndërkohë që, sipas tij, qëndrojnë në kundërshtim me ligjin dhe me interesat e trashëgimisë kulturore.
Ai shtoi se objekti në fjalë disponon dokumentacion pronësie të lëshuar vite më parë, duke e përmendur këtë fakt në fund të reagimit të tij.
Deklaratat e kryeministrit nuk janë shoqëruar deri tani me një reagim publik nga protestuesja e përmendur në postim.
Postimi:
DY FOTOGRAFI DHE DY FYTYRAT E NJË SIMBOLI TË THIRRJES PËR DIASPORËN NË PROTESTË
Majtas: Një shtesë skandaloze pa leje brenda mureve të kalasë së Durrësit. Shteti do ta shpronësojë në kuadrin e pastrimeve për Rilindjen e Zonës Historike, sipas projektit të miratuar.
Djathtas: Një protestuese e përbetuar për mbrojtjen e mjedisit që bërtet, “Diaspora këtë vit nuk do të vijë për pushime, por për protestë”. Ajo është vetë ndërtuesja e shtesës pa leje, e cila ka deklaruar përpara meje se do hidhet me kokë nga tarraca, po nuk e pranon fondin e shpronësimit të atij çibani ngaqë i duket pak!
Pikërisht kështu funksionon algoritmi i manipulimit në rrjetet sociale:
Një shkelëse e ligjit, qëndrestare kundër pastrimit të trashëgimisë kulturore nga çibanët e ndërtuar pa leje vishet me flamurin e interesit publik, ve kujën për atdheun në rrezik dhe kthehet në heroinë.
Fakti pastaj që ky personazh grotesk është edhe militante e vajmedet Partisë Demokratike, e fut rastin në një kornizë shembullore të dashurisë për natyrën
*Çibani ka një hipotekë nga koha e dy gishtave.

Screenshot
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






