Transmetuar më 20-06-2026, 19:15

Arrestohet 21-vjeçari i dyshuar për grabitjen e një karburanti dhe tentativë vjedhjeje me armë në Krujë

Policia e Krujës ka vënë në pranga një 21-vjeçar të dyshuar si autor i grabitjes së një pike karburanti dhe i një tjetër ngjarjeje kriminale të ndodhur vetëm pak ditë më vonë, ku ai dyshohet se tentoi të kryente një vjedhje i armatosur dhe i maskuar.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në pranga ka rënë shtetasi Marvin Ferra, 21 vjeç, i cili dyshohet se më 15 qershor 2026 ka grabitur një pikë karburanti në fshatin Krastë të Krujës.

Hetimet e mëtejshme kanë zbuluar se katër ditë më vonë, më 19 qershor, i riu dyshohet se ka hyrë i maskuar dhe i armatosur me armë zjarri automatike në oborrin e banesës së shtetases M.K., në fshatin Radë, me qëllim kryerjen e një vjedhjeje.

Pas sigurimit të informacioneve për vendndodhjen e tij, shërbimet e Policisë së Krujës organizuan një operacion për kapjen e 21-vjeçarit. Gjatë ndërhyrjes policore, Marvin Ferra ka tentuar t’u largohej efektivëve, por pas ndjekjes është neutralizuar dhe arrestuar rreth 300 metra larg vendit ku ndodhej.

Gjatë kontrollit dhe veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri automatike dhe një pushkë që dyshohet se posedoheshin nga i arrestuari.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të 21-vjeçarit, si dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjeve për të cilat ai dyshohet.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit