

KSAMIL – Dy turistë ukrainas janë shpëtuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në Ksamil, pasi mjeti lundrues me të cilin po lundronin rrezikoi të fundosej për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja u regjistrua gjatë patrullimeve të Njësisë Speciale Delta në mbështetje të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë.
Efektivët konstatuan një skaf, i marrë me qira nga dy turistët ukrainas, që po fundosej si pasojë e erërave të forta dhe motit të përkeqësuar. Menjëherë pas konstatimit të situatës, forcat e policisë ndërhynë për të kryer operacionin e shpëtimit.
Falë ndërhyrjes së shpejtë, dy turistët u nxorën në siguri dhe, sipas autoriteteve, ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, strukturat përgjegjëse po punojnë për nxjerrjen e mjetit lundrues në breg dhe për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.
Policia Kufitare ka apeluar për kujdes të shtuar gjatë lundrimit, veçanërisht në kushtet e motit të paqëndrueshëm, duke theksuar se mbetet e angazhuar në garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe turistëve në hapësirat detare të vendit.
“Ksamil/U rrezikuan të mbyteshin në det, Policia Kufitare shpëton dy turistë ukrainas. Shërbimet e Njësisë Speciale Delta, të planizuara me shërbim në mbështetje të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, kanë ndërhyrë me profesionalizëm dhe në kohë për t’i ardhur në ndihmë dy turistëve ukrainas, të cilët rrezikuan jetën në det për shkak të përkeqësimit të motit.
Gjatë patrullimit në zonën e Ksamilit, efektivët konstatuan një mjet lundrues tip skaf, i marrë me qira nga turistët, që po fundosej si pasojë e erërave të forta dhe kushteve të rënduara atmosferike. Në bord ndodheshin dy shtetas ukrainas.
Menjëherë, efektivët e Njësisë Speciale Delta ndërhynë duke bërë të mundur shpëtimin e dy turistëve, të cilët fatmirësisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Aktualisht po punohet për nxjerrjen e mjetit lundrues në breg. Policia Kufitare mbetet e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe turistëve në hapësirat detare të vendit”, njofton policia.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






