

Fluksi i të ashtuquajturit turizëm dentare ka ndikuar në shtrenjtimin e çmimeve për shqiptarët, duke bërë që shumë prej tyre të shmangin kontrollet dhe ndërhyrjet dentare.
Por Qendra Spitalore Universitare në Tiranë ka vendosur të ofrojë shërbime falas duke sjellë mundësi trajtimi dentare pa pagesë.
Në Klinikën Stomatologjike Universitare, drejtoresha Belisa Kaleci thotë se janë kushtet dhe pajisjet e fjalës së fundit që madje nuk i gjen në shumë klinika private.
Të gjithë shtetasit shqiptarë deri në moshën 18 vjeç, pa përjashtim, si dhe të gjithë shtetasit që futen në kategoritë e grupeve në nevojë, mund të marrin shërbimet falas. Po ashtu ofrohet shërbim falas për të gjithë pensionistët.
Për të marrë shërbimet mjafton të keni një kartë identiteti me vete. Shërbimet ofrohen nga e hëna deri dhe në të shtunën.
Nga shërbimet më të thjeshta dhe deri në kirurgji dentare, ngritje sinusesh, grafi panoramex dhe skaner 3D, mundësohen në shtet, thotë Belisa Kaleci, drejtoreshë e Klinikës Stomatologjike Universitare.
I vetmi shërbim që është me pagesë është skaneri 3D, por me tarifë disa herë më të ulët se në klinikat private.
“Mjafton vetëm karta e identitetit, mjeku përcakton diagnozën dhe të drejton se në cilin kabinet duhet të marrësh shërbim”, thotë Kaleci. Ajo pohon se çdo ditë trajtohen 50 pacientë dhe mbi 12 mijë të tillë në vit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






