

TIRANË – Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka kërkuar rritje të angazhimit të deputetëve në rrjetet sociale, duke theksuar nevojën për të komunikuar më shumë mbi punët dhe projektet e qeverisë.
Sipas burimeve nga mbledhja, Rama ka vlerësuar se arritjet dhe investimet e qeverisë nuk po marrin vëmendjen e duhur në platformat online, duke nënvizuar rolin e “algoritmeve” në shpërndarjen e informacionit publik.
“Ne nxjerrim punë, por nuk merr vëmendjen e duhur nga algoritmi”, mësohet të ketë thënë kryeministri gjatë diskutimit.
Gjatë takimit janë shënuar edhe debate me deputetin Erion Braçe, ku në fokus kanë qenë postimet e tij të shpeshta në rrjetet sociale për problematikën e menaxhimit të mbetjeve urbane.
Sipas burimeve, Rama ka kritikuar faktin se në këto postime evidentohen kryesisht raste problematike, duke kërkuar një pasqyrim më të balancuar të situatës.
Nga ana e tij, Braçe ka argumentuar se denoncimet publike lidhen me problematika ende të pazgjidhura dhe se qëllimi i tyre është të nxisin reagim institucional.
Mbledhja është zhvilluar në një klimë diskutimi të brendshëm mbi komunikimin politik dhe menaxhimin e imazhit publik të qeverisë në rrjetet sociale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






