

TIRANË – Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e zhvilluar në ambientet e Pallatit të Brigadave, ka përfunduar pas diskutimeve që kanë zgjatur disa orë dhe janë mbajtur me dyer të mbyllura.
Në fokus të takimit kanë qenë zhvillimet politike në vend, protestat e fundit si dhe çështje që lidhen me projektet strategjike, përfshirë investimet në zonën e Zvërnecit.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama ka dhënë udhëzime për mënyrën e komunikimit dhe menaxhimit të situatës aktuale politike nga ana e deputetëve socialistë.
Sipas të njëjtave burime, gjatë diskutimeve kreu i grupit parlamentar Taulant Balla ka tentuar të trajtojë çështjen e deputetes së pavarur Marjan Koçeku, por kryeministri ka kërkuar që kjo temë të mos diskutohet brenda mbledhjes së grupit.
Po ashtu raportohet se gjatë takimit ka pasur edhe diskutime mes kryeministrit dhe deputetit Erion Braçe lidhur me aktivitetin e tij publik dhe postimet në rrjetet sociale.
Mbledhja është zhvilluar në një klimë të mbyllur, ndërsa nuk ka pasur deklarata zyrtare për mediat mbi detajet e diskutimeve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






