

TIRANË – Ka përfunduar pas rreth pesë orësh mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe e kabinetit qeveritar, e zhvilluar në Pallatin e Brigadave.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, kryeministri Edi Rama është larguar nga ambientet e mbledhjes pas përfundimit të saj, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë ecuria e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe procedurat e ndjekura lidhur me investimet në zonën e Zvërnecit. Në fund të mbledhjes, kreu i qeverisë mbajti një pjesë të fjalës së tij për mediat.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në vend janë shoqëruar me një vëmendje të shtuar publike dhe ndërkombëtare, veçanërisht lidhur me projektet strategjike të investimeve dhe debatet që ato kanë nxitur në opinionin publik.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te protestat dhe debati publik në rrjete sociale, duke e cilësuar situatën si pjesë të një “cikli të intensifikuar dixhital”, që sipas tij ka përfshirë aktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit.
Ai shtoi se projektet zhvillimore në zona si Narta dhe Zvërneci kanë marrë vëmendje të gjerë, për shkak të interesit të investitorëve dhe diskutimeve publike që i shoqërojnë.
Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa në pjesën përfundimtare të saj, kryeministri dha një deklaratë të shkurtër për mediat.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






