

DURRËS – Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje të ndryshme kriminale, që lidhen me vjedhje me dhunë dhe tentativa vjedhjeje me armë.
Sipas njoftimit zyrtar, është arrestuar shtetasi M. F., 21 vjeç, banues në fshatin Mafsheq. Ai dyshohet se në orët e para të mëngjesit të datës 19 qershor 2026, i maskuar dhe i armatosur me armë automatike, ka hyrë në oborrin e banesës së një shtetaseje në fshatin Radë me qëllim vjedhjeje.
Në një rast tjetër, policia arrestoi shtetasin R. K., 51 vjeç, banues në Tiranë. Sipas hetimeve, ai dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin T. M., i arrestuar më herët në kuadër të operacionit policor “Taksimetri”, ka kryer dy vjedhje me dhunë ndaj pasagjerëve që udhëtonin me automjete taksi në zonat e Shënvlashit dhe Rinasit.
Hetimet dhe analizimi i pamjeve filmike kanë dokumentuar, sipas policisë, rolin e R. K. si transportues i autorit të dyshuar, ndërsa T. M. dyshohet se realizonte vjedhjet ndaj drejtuesve të taksive në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Krujën dhe Durrësin.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën dhe garazhin e R. K., uniformat blu sekuestruan prova materiale që dyshohet se e lidhin atë me veprimtarinë kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë kompetente për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






