

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se mijëra qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora po udhëtojnë drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e organizuar nga opozita.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha e cilësoi pjesëmarrjen si një mobilizim të gjerë dhe falënderoi të gjithë ata që, sipas tij, kanë lënë angazhimet e tyre për t’iu bashkuar tubimit.
“Ka një vërshim të jashtëzakonshëm drejt Tiranës. Falënderoj të gjithë shqiptarët që po vijnë nga të katër anët e Shqipërisë dhe nga diaspora për të marrë pjesë në këtë protestë”, u shpreh ai.
Lideri demokrat theksoi se Partia Demokratike është e përqendruar në garantimin e një procesi të lirë zgjedhor dhe se e ardhmja politike e vendit duhet të përcaktohet nga vullneti i qytetarëve.
“Partia Demokratike ka vizionin dhe potencialet e nevojshme dhe do të bëjë çdo përpjekje që shqiptarët të votojnë të lirë. Do të jetë vota e lirë e qytetarëve ajo që do të përcaktojë qeverinë e ardhshme të vendit”, deklaroi Berisha.
Deklaratat e kreut të opozitës vijnë në prag të protestës së thirrur nga Partia Demokratike, e cila sipas organizatorëve synon të adresojë shqetësimet mbi situatën politike dhe institucionale në vend.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






